Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, do të vizitojë Shtetet e Bashkuara më 9 maj, tha një zyrtar turk i sigurisë, duke i hapur rrugë takimit të parë të udhëheqësit turk në Shtëpinë e Bardhë gjatë administratës së presidentit amerikan, Joe Biden.
Vizita në Uashington do të jetë e para që Erdogan do të zhvillojë që nga viti 2019, kur u takua me presidentin e atëhershëm amerikan, Donald Trump, me të cilin ka raporte të mira personale. Që kur është zgjedhur Bideni në postin e presidentit më 2020, Ankaraja ka kërkuar që dy udhëheqësit të zhvillojnë një takim kokë më kokë. Raportet mes dy aleatëve të NATO-s, që përshkruhen me dallime të mëdha në një sërë çështjesh, janë përmirësuar pasi Ankaraja ratifikoi pranimin e Suedisë në NATO në muajin janar, pas 20 muajsh vonesë që kishte shkaktuar frustrim në Uashington. Megjithatë, mes Uashingtonit dhe Ankarasë vazhdon të ketë mospajtime për çështje të tjera, përfshirë veriun e Sirisë, ku forcat amerikane mbështesin militantët kurdë që Turqia i konsideron terroristë. Uashingtoni po ashtu po i bën presion Ankarasë që të bëjë më shumë për të ndaluar transitin e mallrave për në Rusi, pasi argumenton se të ardhurat nga to Moska po i përdor për luftën kundër Ukrainës.