Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka përfunduar hetimet paraprake dhe ka paraqitur para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin, kërkesën për kreun e Dhomës së Avokatisë në Korçë Arben Lena dhe 6 të tjerë.

Arben Lena akuzohet për ushtrim të ndikimit të paligjshëm, ndërsa e përfshirë rezulton dhe avokatja Dajana Kodra.

Nga hetimet nga rezultuar se shtetasit Nikolla Hafësllari, Nikolla Jesku, Blerand Kozici dhe Artiana Kozici në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i kanë dhënë shumën prej 5.000 Euro Arben Lenës dhe Dajana Kodrës (Ninga), avokate pranë Dhomës së Avokatisë Korçë, ndërsa këta të fundit i kanë premtuar se do të ushtronin ndikim të paligjshëm te gjyqtari i Gjykatës së Apelit Korçë, me qëllim lehtësimin e pozitës procedurale të të burgosurit.

Njoftimi:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka përfunduar hetimet paraprake dhe ka paraqitur para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për gjykim të procedimit penal Nr.07, të vitit 2023, në ngarkim të të pandehurve:

  1. Arben Lena, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245/1/4-25 i Kodit Penal, Kryetar i Dhomës së Avokatisë Korçë;
  2. Nikolla Hafësllari, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245/1/2-25, i Kodit Penal;
  3.  Nikolla Jesku, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245/1/2-25, i Kodit Penal;
  4. Dajana Kodra (Ninga), akuzuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245/1/4-25, i Kodit Penal, avokate pranë Dhomës së Avokatisë Korçë;
  5. Dritan Tabaku, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Moskallëzimi i krimit”, parashikuar nga neni 300, i Kodit Penal;
  6. Blerand Kozici, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245/1/2-25, i Kodit Penal;
  7. Artiana Kozici, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245/1/2-25, i Kodit Penal.

Nga analiza e provave dhe të dhënave të grumbulluara në funksion të hetimit të këtij procedimi penal, rezulton e provuar, se të pandehurit Nikolla Hafësllari, Nikolla Jesku, Blerand Kozici dhe Artiana Kozici në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1/2 – 25, i Kodit Penal, në formën aktive, të dhënies së përftimit të parregullt prej 5 000 Euro, me qëllim ushtrimin e ndikimit të paligjshëm tek gjyqtari i Gjykatës së Apelit Korçë dhe lehtësimin e pozitës proceduriale të të pandehurit Blerand Kozici, i cili po hetohej nën efektin e masës së sigurimit “arrest në burg“, nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Pogradec (për veprën penale “Ndihma për kalimin e paligjshëm të kufijve”, parashikuar nga neni 298/3 i Kodit Penal).

Të pandehurit Arben Lena dhe Dajana Kodra (Ninga), kanë konsumuar elementët e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245/1/4-25, i Kodit Penal, në formën pasive, të marrjes së përfitimit të parregullt, duke premtuar se do të ushtronin ndikim të paligjshëm te gjyqtari i Gjykatës së Apelit Korçë, me qëllim lehtësimin e pozitës procedurale të të hetuarit Blerand Kozici.

/abcnews.al/