Në një tryezë të organizuar nga PL-ja për “Fuqizimin e grave dhe vajzave”, Ilir Meta nuk ngurroi të thumbonte apo sulmonte Monika Kryemadhin.
Pas krisjes së marrëdhënies midis të dyve, gjë që është pranuar edhe publikisht nga vetë çifti, Meta sot i ka dhënë një tjetër mesazh Kryemadhit, ku është shprehur se nuk ka gjë më të rrezikshme se xhelozia e grave.
“Do mbështes gratë si Thatcher, por u kemi vënë stërkëmbëshat. Gratë të mos i vendosin stërkëmbësha dhe nofka njëra-tjetrës. Në fakt, kjo ka ekzistuar edhe në PS kur unë kam qenë pjesë. Nuk ka më të rrezikshme se gratë që janë xheloze për gratë. E kemi mendjen te takat e larta e te çantat e shtrenjta, ndaj po na ikin të rinjtë ne. Gabimi i Metës është që nuk ka ndërtuar sistem meritokratik, të matshëm dhe të barabartë. Meta ka besuar shumë e është zhgënjyer. Gratë në Partinë e Lirisë do të ‘shpërthejnë’ dhe do të afrohen shumë të tjera. Do të kemi një parti të organizuar në mënyrën më të hekurt. Do të kemi partinë më demokratike. Mendimit ndryshe do t’ia japim fjalën në Konventë. Prandaj kemi punuar ne, që të kemi edhe një mendim ndryshe. Mekanizmi i organizimit ishte ndryshkur. Mendimin ndryshe do ta respektojmë dhe mirëpresim çdo platformë fraksioni. Partia e Lirisë do të jetë misionare, ekzekutive, jo parti thashethemesh dhe klubesh”, u shpreh Meta./CNA