“Asnjë ministër dhe asnjë strukturë e varësisë s’do të ketë asnjë lidhje me tendera por do të merret vetëm me politikat sektoriale”. Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes me grupin parlamentar, duke njoftuar krijimin e një shoqërie të re të operatorit për blerjet e përqendruara.

Sipas kreut të qeverisë, kjo shoqëri e re do të asistohet nga shoqëri partnere evropiane. Gjithashtu, ai bëri të ditur se po krijohet një katalog dixhital për blerjet e vogla për institucionet.

“Duke u kthyer te prokurimet publike, ne nuk na mjafton kaq. Ne kemi hedhur një hap tjetër përpara. E ka hedhur kjo shumicë me propozim të qeverisë për të krijuar shoqërinë publike të operatorit të blerjeve të përqendruara, e cila ka filluar zyrtarisht punë me 25 Prill, dhe do t’i kryejë ajo të gjitha prokurimet e ministrive dhe institucionet e tyre të varësisë. E thënë troç,  asnjë ministër dhe asnjë strukturë e varësisë s’do të ketë asnjë lidhje me tendera por do të merret vetëm me politikat sektoriale. Kjo shoqëri është ndërtuar sipas modeleve më të mira evropiane do të asistohet nga shoqëri partnere evropiane, do të ofrojë shërbimet e veta për të gjitha njësitë e pushtetit vendor apo njësitë e tjera jashtë varësisë së pushtetit ekzekutiv, të cilat ne nuk i detyrojmë dot me ligj që të heqin dorë nga organizimi i tenderave. Po ashtu operatori i blerjeve të përqendruara po ndërton një katalogj dixhital të blerjeve të vogla për të gjitha institucionet publike, që të mos bëjnë tendera për çdo dërrasë të zezë, karrige zyre apo tavolinë por të blejnë direkt nga katalogu i quajtur ark zone, një lloj Amazon i mallrave për të gjithë shërbimet mbështetëse të institucioneve, duke kursyer kohë dhe para dhe mbi të gjithë duke i mbyllur derën korrupsionit. Nga ana tjetër, po punohet nga AKSHI në bashkëpunim me Microsoft dhe me ndihmën e vyer të ekipit të Mira Muratit për modelin revolucionar të prokurorimeve me inteligjencë artificiale, i cili do të mbyllë përfundimisht epokën problematike të ngritjes çdo vit të mesatarisht 20 mijë komisione tenderash“, tha Rama./abcnews.al