Aktakuzat ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarit të PDK Kadri Veseli, shefit të grupit parlamentar të VV Rexhep Selimi dhe ish kryetarit të parlamentit, Jakup Krasniqi, janë publikuar të plota nga Gjykata Speciale, në një version të redaktuar, me gjithsej 68 faqe.

Mbi ta rëndojnë krimet luftës, ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit si burgosjes, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje të paligjshme, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, mes marsit 1998 dhe shtatorit 1999. Sipas aktakuzës, krimet dyshohet se janë kryer në disa vende në Kosovë, por edhe në Kukës, Has dhe Cahan në Shqipëri “dhe u kryen nga anëtarë të “UÇK” kundër civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime”.


Viktimat ishin persona që shiheshin si kundërshtarë të UÇK-së;  serbë, romë dhe ashkalinj; katolikë; civilë që dyshoheshin për bashkëpunim me autoritetet; shqiptarë që ishin anëtarë ose përkrahës të LDK ose partive të tjera; shqiptarë që nuk iu bashkuan ose nuk përkrahnin UÇK-në etj. 


Aktakuza pretendon se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi, personalisht kanë marrë pjesë në “kërcënime, marrje në pyetje, keqtrajtimin dhe ndalimin e kundërshtarëve”. Në korrik 98, pas një sulmi të UÇK-së në Rahovec dhe rrethinë, ishin marrë peng civilë serbë, dhe në operacion ishin përfshirë, Thaçi, Veseli e Selimi.

Nga ana tjetër, krahas zhvillimeve të reja Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka mbajtur një mbledhje të jashtzakonshme për të vendosur në lidhje me protestat popullore paqësore, për të kundërshtuar aktakuzat e Gjykatës Speciale.