Mbrëmjen e së enjtes në Athinë u ekzekutua me armë zjarri 32-vjeçari Roan Brahimi alias Sidorel Prendi në një atentat mafioz, teksa ndodhej me të dashurën Katerina Beqo në makinë dhe pak metra larg automjetit ndodhej dhe djali i tyre i vogël duke luajtur në një park.
– Advertisement –
32-vjeçari jetonte prej kohësh në Dubai dhe mbërriti të shtunën e 4 majit në Athinë, për të festuar Pashkët me të birin dhe të dashurën.
Sipas të dashurës, e cila e shoqëronte ditën që ndodhi ngjarja, ardhja e tij në Greqi ishte një surprizë pasi nuk e kishte lajmëruar më herët, por vetëm të shtunën e kaluar kur kishte mbërritur.
“Nuk dija asgjë, nuk më kishte thënë asgjë, erdhi në Kishë. Të shtunën për Pashkë”, ka thënë ajo.
Duke rikujtuar momentin e atentatit, ajo u shpreh se ndodhej në makinë me viktimën, por gjithçka ndodhi shumë shpejt sa nuk mban mend asgjë.
“Isha në makinë me të, por nuk e mbaj me se çfarë ndodhi. Më pas dola nga makina. Fëmija pa gjithçka. Tani atë e ka mamaja ime, ndërsa unë rri në shtëpi dhe nuk jam aspak mirë”, tha ajo.
Roan Brahimi alias Sidorel Prendi, i cili për miqtë dhe të afërmit njihej si “Sidi”, nuk ishte një emër i panjohur për Policinë e Shtetit, teksa njihej dhe si rival i njerëzve të afërt të të shumëkërkuarit Ervis Martinaj.
Në vitin 2014, Roan Brahimit iu vranë në atentat dy djem xhaxhallarësh dhe u plagos një tjetër. Konkretisht mbetën të vrarë Klodian Ndreca e Taulant Prendi dhe u plagos Aurel Prendi.
Katër vite më vonë, ai u arrestua në Lezhë, ku iu sekuestruan municione, euro dhe bizhuteri të dyshuara nga veprimtaria kriminale e vjedhjes.
Ndërkohë në dhjetor të vitit 2020, lokali në pronësi të Gjovalin Prendit, babai i Roan Brahimit alias Sidore Prendit, u qëllua me breshëri plumbash, por fatmirësisht nuk pati persona të lënduar.
Ndërsa, në vitin 2021, Roan Brahimi u shpall në kërkim nga policia, pasi së bashku me dy persona të tjerë shkaktuan terror në një lokal në Zejmen të Lezhës. Bashkë me Ramazan Rrajën dhe Alesio Dobrozi, ata u futën të armatosur me kallashnikov duke kërkuar pronarin, ngjarje e ndodhur në vitin 2021.
Roan Brahimi alias Sidorel Prendi dyshohet si i përfshirë dhe në dy atentatet që tronditën vendin në verën e vitit 2022. Më konkretisht atë të 17 korrikut 2022 tek mbikalimi i Fushë Krujës, ku u ekzekutua djali i xhaxhait të Ervis Martinajt, Brilant Martinaj, bashkë me dy shokët e tij Diklen Vata dhe Besmir Hoxha. Po ashtu, dyshohet si i përfshirë edhe në atentatin e regjistruar ndaj krahut të djathtë të Ervis Martinajt, Ylli Brahimi alias Ylli Brahja, i cili mbeti i plagosur dhe u ekzekutua Klisman Preçi.
Për të dyja ngjarjet, ai ka qenë në kërkim, ku policia ka ushtruar kontrolle në banesën e tij në fshatin Pllanë të Lezhës, por nuk u gjet në banesë si në atentatin e parë, po ashtu edhe në të dytin.
Për ngjarjen ku humbi jetën 32-vjecari një natë më parë në Athinë, dyshohet se është kryer nga vrasës me pagesë, por nuk dihet se për llogari të kujt është kryer ekzekutimi.