Një 24-vjeçar është arrestuar këtë të diel në aeroportin e Rinasit.
Sipas informacioneve të policisë, i riu ka vjedhur një orë të shtrenjtë në një prej bagazheve të udhëtarëve. Forcat policore kanë arritur të sekuestrojnë orën me vlerë 20 mijë euro.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Rinas, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive, pas kallëzimit të depozituar nga një 30-vjeçar, se kushëririt të tij, i cili kishte udhëtuar nga Rinasi drejt Athinës, i kishin vjedhur një orë të kushtueshme të cilën e mbante në bagazhet e tij dhe vjedhjen e së cilës ai e kishte konstatuar në momentin kur kishte arritur në Athinë, menjëherë kanë organizuar punën për dokumentimin e plotë ligjor të rastit dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorit të dyshuar.
Si rezultat i veprimeve operative dhe procedurale të kryera nga Seksioni për Hetimin e Krimeve, u arrit të identifikohet si autor i kësaj vjedhjeje, me detyrë punonjës i sektorit të ngarkim-shkarkimit të bagazheve, në vendqëndrimin e avionëve.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi i autorit të dyshuar, shtetasit 24 vjeç, banues në Krujë, me detyrë punonjës për ngarkimin dhe shkarkimin e bagazheve, në aeroportin e Rinasit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua ora e dyshuar e vjedhur, me vlerë rreth 20 000 euro.
Materialet i kaluan Prokurorisë.”, thuhet në njoftimin e policisë.