Një aksion i dyfishtë, me protestë jashtë sallës dhe me debat në Parlament nga ana e deputetëve të opozitës pritet të shënjojë seancën e sotme parlamentare.
Demokratët e Rithemelimit kanë thirrur qytetarët dhe mbështetësit e tyre në një tubim para Parlamentit, pas investigimit të Rai 3 për kryeministrin Edi Rama dhe lidhjet e qeverisë me krimin.
Në fillim të gjithë ligjvënësit e PD do të futen në sallë për të kërkuar që krye parlamentarja Lindita Nikolla të marrë në shqyrtim kërkesën e kreut të grupit parlamentar, Gazment Bardhi për mocion me debat për të gjitha raportimet e mediave të huaja mbi lidhjet e kryeministrit Rama me krimin.
Më pas deputetët do të bashkohen me qytetarët që do të grumbullohen në sheshin para Parlamentit dhe që pritet të mbajnë në duar pankarta me të gjithë titujt e të gjitha mediave ndërkombëtare që kanë shkruar ndër vite për qeverisjen e Edi Ramës.
Kur na ndajnë rreth 30 minuta nga nisja e seancës, gazetari i A2 CNN, Anesti Bajramemaj raporton se forca të shumta policie janë stacionuar në të dyja hyrjet e Parlamentit, ndërsa janë marrë masa për të mbarëvajtur rendin dhe sigurinë.
Do të jenë me qindra efektivë që do të vendosen në terren, pasi edhe opozita ka deklaruar se protesta do të jetë masive. Policia ka marrë të gjitha masat për fikjen e zjarrit në rast se do të përdoret molotov apo djegie gomash, siç demokratët kanë bërë në protestat para Bashkisë së Tiranës.
Sakaq, policia ka sqaruar se prej orës 08:00 të mëngjesit dhe në vijim do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve në bulevardin Zhan D’Ark dhe rrugën “Xhorxh Bush”.
Në njoftimin e uniformave blu u bëhet thirrje organizatorëve të tubimit por edhe qytetarëve që do të marrin pjesë, që të respektojnë ligjin duke shmangur aktet e dhunës.
“Nuk do të tolerohen sjellje apo veprime që cenojnë rendin dhe sigurinë publike. Drejtuesit e automjeteve, ato të transportit publik, si dhe këmbësorët gjithashtu, të shmangin këto rrugë dhe të përdorin rrugë alternative. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe marrë pjesë në tubime dhe i bën thirrje organizatorëve, drejtuesve, pjesëmarrësve në tubime, dhe përfaqësuesve të subjekteve politike, të ushtrojnë të drejtën e tyre në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.”