Prej dy vite e gjysmë në betejë për vulën e Partisë Demokratike, demokratët e Lulzim Bashës dhe Sali Berishës përballen sërish të martën e 11 Qershorit në Gjykatë, me shpresën për një vendim final që do të zgjidhë njëherë e mirë fatin ligjor të partisë më të madhe opozitare.
Gjykata e Apelit do të shqyrtojë në një seancë që nis në orën 10:00 se cila palë ka të drejtën të quhet Partia Demokratike.
Relatore është gjyqtarja Alma Ahmeti me pjesëtare të trupës gjykuese Iliba Bezati dhe Elona Toro.
Burime për Report Tv nga të dyja palët kanë pohuar se nuk do të kenë kërkesa shtesë, çka do të çonte në shtyrjen e seancës e rrjedhimisht edhe vendimit për vulën e PD.
Por si nisi beteja ligjore mes dy grupeve të demokratëve?
Më 11 dhjetor të 2021, Sali Berisha për t’ju përgjigjur përjashtimit nga grupi parlamentar të Lulzim Bashës, me një pjesë të demokratëve që e mbështesin, mbajti një Kuvend Kombëtar, shkarkoi Bashën si kryetar si dhe bëri ndryshime statutore për të Rithemeluar partinë. Në 25 mars të 2022 Gjykata e Shkallës së Parë, me Gjyqtar Agron Zhukrin, tashmë të shkarkuar nga Vettingu pranoi kërkesën e Komisionit të Rithemelimit për të regjistruar këto ndryshime, por ky vendim u apelua nga PD zyrtare e Bashës me firmën e Enkelejd Alibeajt.
Një vit më vonë, më 3 mars të 2023 Apeli vendosi ta kthente në shkallë të parë, por sërish ky vendim u apelua dhe Sali Berisha që çoi çështjen në Gjykatën e Lartë.
Në seancën e 27 dhjetorit të vitit të shkuar, përmes një seance në dhomë këshillimore e teksa jashtë saj ish kryeministri dhe Rithemelimi protestonin, Gjykata e Lartë vendosi të detyrojë ‘Apelin’ që të zgjidhë përfundimisht se cila pjesë, ajo e Bashës apo e Berishës gëzon të drejtën të quhet Partia Demokratike.
Në argumentet e saj, Gjykata e Lartë thotë Apeli nuk ka kryer një hetim të plotë të çështjes, nuk ka kuptuar natyrën e mosmarrëveshjes dhe ka interpretuar gabim normat dhe ligjin procedural.
Beteja mes dy grupeve të demokratëve përgjatë këtyre dy viteve e gjysmë përçarje nuk ka qenë vetëm ligjore. 8 janari i 2022 kulmoi në përplasje fizike mes Rithemelimit e PD zyrtare, ku vetëm ndërhyrja e policisë shmangu pasojat fatale.