Doktor Adrian Hoti, personi i cili ka kundërshtuar atë që po ndodhte me kobaltin tek Onkologjiku, çështje e cila u zbulua nga dosja e megaskandalit tek onkologjiku pak ditë më parë, në një intervistë për gazetarin Osman Stafa, ka deklaruar se kobalti mbahej në dhoma pa asnjë kusht paraprak.

Ai ka treguar se ka ndjekur të gjitha hapat administrative për të evidentuar rastin dhe për të ndikuar që të merreshin masat e nevojshme për të siguruar jetën dhe shëndetin e mjekëve dhe pacientëve, diçka e tillë nuk ka ndodhur.

Kjo e detyroi mjekun që të japë edhe dorëheqjen.

“Personalisht nuk kam denoncuar! Kam kundërshtuar me aq sa më takonte nga pozita e pune, krijimin e një kabineti radioterapie në një dhomë të zakonshme spitalore.
Të punosh 20 vite në radioterapi, mëson shumë mbi punën, nivelin e mbrojtjes, rregulloret. Ne për fatin jo të mirë jemi vendi i fundit në Europë që përdorin kobalto terapi.