Periudha e pandemisë bëri që një numër i madh i njerëzve të drejtoheshin tek përdorimi i platformave online.
Shërbimet publike online për qytetarët dhe bizneset i kanë dhënë Shqipërisë çmimin e qeverisjes digjitale.
Ka qenë Drejtoresha e AKSH-it, Linda Karçanaj, e cila e ka bërë të ditur lajmin.
Ndarja e çmimeve u bë sot nga ReSPA (iniciativë e BE) dhe OECD/SIGMA të cilët i dhanë Shqipërisë notën maksimale në kategorinë për qeverisjen digjitale (Digital Goverment).
“Pas vitesh pune të madhe, Shqipëria vlerësohet ndërkombëtarisht për qeverisjen digjitale. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit u vlerësua për udhëheqjen e këtij projekti kombëtar për shndërrimin e administratës publike në efikase dhe inovatore”,u shpreh Karçanaj.
Ky çmim sipas Karçanaj nxjerr në pah përpjekjet e qeverisë në investime që ndryshuan administratën publike përmes sistemeve digjitale. e-Albania është njëra prej platformave nëpërmjet të cilës qytetarët shqiptarë marrin disa shërbime përmes një klikimi të vetëm.
Ky vlerësim ndërkombëtar, sipas drejtueses së AKSHI-t, është një mundësi e madhe për mbështetje nga partnerët perëndimorë në digjitalizim, si përgjigja e vetme për të siguruar qendrueshmëri në çdo kohë dhe cilësi jete për qytetarët shqiptarë.