Aktori i njohur i skenës shqiptare, Guljelm Radoja, ka ndërruar jetë pas infektimit nga Covid 19.

Mësohet se Radoja ishte prej dy ditësh në intubim në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë.

Ikjen e tij e ka konfirmuar edhe i biri, Red Radoja, i cili në një postim në facebook shkruan;

“Pushofsh në paqe bab!Do ndrijnë akoma sytë e tu mbi ballin e vajzës, djalit, mbesave dhe nipit të vogël …”

Edhe Lidhja e Shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë LSHASH shpreh dhimbjen për ndarjen nga jeta të kolosit të artit shqiptar, aktorit Guljelm Radoja, duke u shprehur  ngushëllime familjarëve dhe miqve të tij.

Guljelm Radoja ka lindur në 2 korrik të vitit 1945 në qytetin e Shkodrës. Pas përfundimeve studimeve të larta në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve) për Dramaturgji në vitin 1972, fillon punën si aktor profesionist në Teatrin e Librazhdit.

Më pas largohet nga ky teatër për të punuar si aktor dhe regjisor pranë Teatrit “Bylis” të qytetit të Fierit dhe më pas si aktor në Teatrin “Aleksandër Mojsiu” në Durrës, qytet në të cilin jetoi deri në largimin nga jeta.

Ndër interpretimet e tij në teatër mund të përmendim rolet e tij në dramat “Bourgeois Wedding” e Bertold Brehtit, “Me syrin e një klouni” e Heinrich Bëllit, “Trojanët” e Vasilis Theodoropulosit etj.

Në kinematografi ai ka luajtur më shumë se 30 role. Roli i i tij i parë ishte ai i inxhinnierit të pyjeve në filmin “Gjurma” në vitin 1970. Më tej do të vazhdonin një sërë rolesh të tjera si roli i Tenente Gruabardhit në filmin “Në fillim te verës” në vitin 1975, roli i Stefan Bardhit në filmin “Mësonjëtorja” në vitin 1979, roli i Petro Nini Luarasit në filmin “Kush vdes në këmbë” në vitin 1984, roli i priftit në filmin “Kthimi i ushtrisë së vdekur” në vitin 1989, roli i prokurorit në filmin “Kolonel Bunker” në vitin 1998, etj.

Për meritat e tij artistike Guljelm Radoja është nderuar me titullin “Artist i Merituar”.