Prej pak ditësh, Durim Bami, një prej të shumëkërkuarëve nga Shqipëria, është lënë i lirë nga autoritetet e Dubait, pasi më parë ishte arrestuar, për llogari të autoriteteve shqiptare.

I njohur si një nga njerëzit më të kërkuar nga drejtësia shqiptare, në kuadër të operacionit “Revanshi”, Bami fitoi lirinë për shkak të përfundimit të afatit të paraburgimit në Dubai dhe duke mos arritur një marrëveshje me Shqipërinë për ta ekstraduar.

Bami mësohet se do te mbahet në vëzhgim nga policia e Dubait, për përfshirje te tij të mundshme në ngjarje të jashtëligjshme.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar caktoi më datë 15.05.2024, masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Sigurimi kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kultivim i lëndëve narkotike”, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”./abcnews.al