Pezullohet aktiviteti i dy shoqërive të kursim -kreditit që operonin në Durrës. Banka e Shqipërisë ka shtuar kontrollet dhe inspektimet ndaj shoqërive financiare  ndërsa ka konstatuar një sërë shkeljesh në këto kompani. Në vendimin për pezullimin e aktivitetit theksohet se kompanitë kanë paraqitur pasqyra financiare të pasakta dhe nuk kanë respektuar normat e mbikqyrjes. Në vendimin e Këshillit Mbikëqyrës thuhet se ky subjekt ka shkelur  ndër të tjera edhe ligjin për parandalimin e pastrimit të parave, pasi nuk ka marrë informacion mbi burimin e të ardhurave të klientëve dhe nuk ka monitoruar trasaksionet e kryera prej tyre.

Pas shkeljeve  Banka e Shqipërisë ka pezulluar  ushtrimin e veprimtarive financiare  dhe gjatë kësaj periudhe  shoqëria e kursim-kreditit “Rrushkull One” dhe “Perlat” nuk mund të ushtrojë aktivitetin e kredidhënies si dhe nuk lejohet mbledhja e depozitave në çdo formë, përshirë edhe depozitimet në llogari rrjedhëse. Dy shoqëritë e kursim-kreditit prej 3 vitesh kishin nisur bashkimin dhe i është kërkuar që ta mbyllin këtë proces brenda vitit duke i lejuar vetëm vijimin e procedurave të bashkimit.

Në vendim parashikohet që të lejohet vetëm tërheqja e depozitave dhe shlyerja e kësteve të kredisë nga anëtarë të shoqërive.

Banka e Shqipërisë ka shtuar kontrollet dhe inspektimet edhe ndaj shoqerive të kursim-kreditit pas skandalit të ndodhur me mikrokreditë./abcnews.al