Është ekstraduar nga Spanja drejt vendit tonë Izmail Zeneli, emri i të cilit doli në përgjimet e Sky, ku vepronte në të njëjtin grup kriminal me Ervis Matën, ish-zv, drejtorin e policisë, Erzen Breçanin dhe djalin e tij Eralbi Breçani.
Në përgjimet që disponon SPAK, hidhej dritë mbi planet e Izmail Zenelit për ekzekutimin e dy vëllezërve Albert dhe Edmond Nela, të cilët jetojnë në Britaninë e Madhe.
Ismail Zeneli i cili njihet edhe me emrin Luan Sadria dhe në rrjetin social SKY përdorte nofkat “Dajo”, “Dajloki” dhe “Transporter”, u arrestua në Spanjë në 27 nëntor. Autoritetet shqiptare kishin siguruar informacion për vendndodhjen e tij të cilat ua dorëzuan homologëve spanjollë të cilët kryen arrestimin.
Sipas SPAK përfshirja e Zenelit në trafikun e kokainës është faktuar në dy episode të ndodhura në janar dhe në shkurt të vitit 2021. Në rastin e parë autoritetet sekuestruan 446 kg kokainë në Holandë dhe në rastin e dytë 69 kilogram kokainë në Brazil.
Lëvizja e kokainës bëhej nga Amerika e Jugut nëpërmjet kontejnerëve frigoriferikë të cilët transportonin mish ose lëng limoni të koncentruar. Vendimmarrje në këtë iniciativë kishte Ismail Zeneli, të cilin Eralb Breçani dhe të tjerët e respektonin për shkak të eksperiencës që kishte në trafikun e drogës.
Zeneli për shkak hasmërisë ka planifikuar të vrasë dhe dy vëllezërit Nela. Për të arritur këtë ai ka kërkuar ndihmën e punonjësit të policisë Dedan Gjonit i cili gjurmonte familjarët duke u bërë kështu bashkautor në krim.