Një grup i ri nga radhët e demokratëve të përçarë është unifikuar dhe do të veprojë si një i vetëm në Parlament, nga kjo e premte e në vijim. Enkelejd Alibeaj që shpalli divorc politik nga Lulzim Basha kur humbi vulën e PD, së bashku me Arbi Agalliun, Flutura Ackën dhe Selaiudin Jakupllarin, që e ndoqën më pas, u larguan përfundimisht nga ish-kreu i tyre, për të nisur dicka të re në vijim.

“Synimi është ndryshimi i sistemit politik dhe partiak, ne jemi sot të paktën 5 kolegë që dalim me vete. Kemi bindjen se ka edhe të tjerë që duhet të dalin nga maksi i listave të mbyllura”

Bashkë me ta është dhe Dashamir Shehi, kryetar i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, që siç tha janë disa qasje që e bashkojnë me 4 kolegët e tjerë.

“Nga grupi tjetër na ndan dhe raporti me ndërkombëtarët. Nuk mund ta orientojmë të djathtë shqiptare të bëjë këtë politikë që po bën sot. Ia beme peshqesh lidhjen qe ishte e jona Edi Ramës”

Ky unifikim në Parlament i depuetëve të dalë nga listat e PD-së, pritet që të zyrtarizohet në ditët në vijim në një parti të re politike, që do të jetë pjesë e garës për parlamentaret e 2025.

“Mund të prezantohemi si bashkim partish. Thirrja jonë nuk është vetëm për kolegët, por i thërrasim dhe partive të tjera jo parlamentare, flukseve të tjera jo të formalizuara dhe elitës shqiptare të prezantohet në formën e një bashkësie politike, do të aplikojmë sistemin me lista të hapura”

Enkelejd Alibeaj dhe të tjerët që deri më 11 qershor ishin me Lulzim Bashën, e ndanë rrugën prej ish-kryetarit të tyre, në momentin që ai vendosi ti futet sërish rrugës gjyqësore për logon e PD-së dhe jo të krijojë një subjekt të ri politik, për tu ndarë përfundimisht nga Sali Berisha./abcnews.al