Rusia ka filluar ta zgjerojë sistemin e pagesës me fytyrë, pra përmes njohjes së fytyrës, në stacione të metrove në gjashtë qytete jashtë Moskës, megjithëse aktivistët kanë paralajmëruar për rreziqet që bart një vendim i tillë për të drejtat e njeriut.
Kazani, një qytet në rajonin e lumit Vogla të Tatarstanit, dhe një stacion metroje në Nozhni Novgorod, një tjetër qytet i madh në Vogla, kanë filluar ta përdorin këtë sistem në gusht, i cili njihet si “Face Pay”, sipas mediave ruse dhe raportimeve qeveritare.
Qendra e Teknologjive Biometrike (QKB), kompania shtetërore që mbikëqyr projektin e pagesave biometrike, pretendon se të gjitha sistemet e metrosë në Rusi, do ta përdorin këtë teknologji deri në vitin 2025.
“Për çdo udhëtar, procesi do të jetë plotësisht pa pengesa”, Tatar-Inform.ru e citoi drejtorin e përgjithshëm të QKB-së, Vladislav Povolotsky, duke thënë për udhëtarët e metrosë së Kazanit. “Udhëtarët mund të udhëtojnë ndërmjet qyteteve të vendit tonë të madh duke e përdorur këtë shërbim”.
Duke cituar dokumentet e QKB-së, e përditshmja Kommersant raportoi në janar se Jekaterinburgu dhe Samara do ta instalojnë sistemin e pagesës me fytyrë në vitin 2024. Shën Petersburgu dhe Novosibirsk do ta kenë këtë sistem deri në fund të vitit 2025.
Zyrtarët rusë pretendojnë se sistemi i pagesës me fytyrë ofron siguri dhe rehati të pakrahasueshme, pasi për të funksionuar mbështetet vetëm te fytyra e udhëtarit. Por, për kritikët, pikërisht ky është problemi.
Në Moskë, e cila e lansoi sistemin e parë të pagesës me fytyrë në Rusi në vitin 2021, kamerat e sigurisë në rrugë janë përdorur për t’i arrestuar si pjesëmarrësit e dyshuar në protestat antiqeveritare, ashtu edhe gazetarët që mbulonin protestat.
Duke përmendur ndalime dhe arrestime të tilla, avokati Andrei Fedorkov, i cili punon për organizatën e ndaluar ruse të të drejtave të njeriut, Memorial, për mbështetjen e të burgosurve politikë, ka frikë se kjo praktikë mund të shtrihet në sistemin biometrik të pagesave të metrosë në Rusi. Ai i quajti “të rëndësishme” rreziqet që paraqet kjo.
“Ky sistem është tashmë aktiv dhe funksional. Nuk është aq i madh dhe gjithëpërfshirës sa në Kinë, por tendenca është krejtësisht e dukshme,” tha Fedorkov. “Prandaj, po, ky sistem do të bëhet një instrument tjetër i fuqishëm në Rusinë e sotme për vëzhgimin dhe kontrollimin e qytetarëve.”
“Rreziqe të mëdha për të drejtat e njeriut”
Përdoruesit e metrosë së Kazanit i thanë gazetës lokale të lajmeve Vechernyaya Kazan se në ekran shfaqen “komplimente” kur pajisja “Face Pay” skanon fytyrat e tyre dhe “merr parasysh stilin [e tyre], shijen në veshje, buzëqeshjen dhe veçori të tjera”.
Prej 15 shtatorit, ata do të pranojnë një “kusur” prej 15 rublash (rreth 15 centë) për çdo udhëtim me “Face Pay”, sipas zyrtarëve të metrosë së Kazanit.
Nuk është e qartë se sa udhëtarë në Kazan dhe Nizhni Novgorod kanë vendosur ta përdorin sistemin “Face Pay”.
Përveç Rusisë, Kina, Kazakistani dhe Japonia përdorin gjithashtu sistemin e pagesës përmes njohjes së fytyrës në metrotë e tyre.
Zyra e Komisionarit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) theksoi për Radion Evropa e Lirë në vitin 2021 se “kërkesat dhe masat mbrojtëse” duhet të ekzistojnë për përdorimin e teknologjisë së njohjes së fytyrës.
Duke përmendur mungesën e informacionit, zëdhënësja e OHCHR-së, Liz Throssell, nuk pranoi të komentojë në lidhje me përdorimin e “Face Pay” nga metroja e Kazanit, por tha se në vija të përgjithshme, “sistemet biometrike, si sistemet e pagesave, janë teknologji me rrezik të lartë që në thelb mbartin rreziqe në rritje për të drejtat e njeriut, përfshirë për të drejtat për privatësi dhe lirinë e shprehjes”.
Edhe kur përdorimi i biometrikes është vullnetar, tha ajo, “ndjeshmëria e të dhënave biometrike kërkon mbrojtje veçanërisht të forta ligjore dhe teknike”.
“Qëllimi i mbledhjes, ruajtjes dhe përdorimit të të dhënave biometrike, kohëzgjatja e ruajtjes dhe kush ka qasje në të dhëna, duhet të jetë rreptësishtë e kufizuar,” tha Throssell.
Ligji i vitit 2022 i Rusisë për përdorimin e të dhënave biometrike për identifikimin e individëve urdhëron që Qeveria dhe banka qendrore duhet të shkatërrojnë automatikisht të dhënat biometrike pas 10 ditësh, përveç nëse personi të cilit i përkasin është ankuar për “përpunimin e paligjshëm” të atyre të dhënave, ose për ndonjë defekt në përdorimin e tyre për autencitet. Ligji, gjithashtu, ndalon kalimin e atyre të dhënave tek palët e treta.
Megjithatë, ligji thotë se dispozitat e tij nuk zbatohen për punën e “hetuesisë dhe inteligjencës”, e as për “mbrojtjen kombëtare, garantimin e sigurisë së shtetit dhe zbatimin e ligjit” dhe “zbatimin e politikës së jashtme”.
Hartat online tregojnë se QKB, një kompani e themeluar në vitin 2022 nga gjiganti i shërbimeve digjitale, Rostelekom, Ministria e Zhvillimit Digjital, Komunikimeve dhe Mediave Masive dhe banka qendrore, ndodhet në një ndërtesë në Moskë, ku gjithashtu ndodhet edhe Rosoboroneksport, agjencia që merret me eksportet ushtrisë ruse, dhe Shërbimi Federal për Bashkëpunim Ushtarak dhe Teknik i Ministrisë së Mbrojtjes.
“Të frikësuar për të marrë frymë”
QKB-ja e mbikëqyr Sistemin e Bashkuar Biometrik, i cili mbledh të dhëna biometrike për pagesat, si për metronë, ashtu edhe për sektorin privat.
Në një intervistë më 27 qershor me faqen e internetit për konferencën e teknologjive digjitale, Povolotsky pohoi se baza e të dhënave mban “mostrat biometrike” të individëve të ndara nga “të dhënat e tyre personale”.
Ai tha se baza e të dhënave nuk përmban “emrat dhe mbiemrat, numrat e taksapaguesve individualë, adresat dhe informacione të tjera personale”.
Përdorimi i sistemit biometrik nuk është i detyrueshëm për udhëtarët e metrosë.
Udhëtarët që duan të paguajnë nëpërmjet njohjes së fytyrës duhet të ngarkojnë një fotografi selfie në aplikacionin celular për portalin e shërbimeve qeveritare të Rusisë dhe më pas ta lidhin llogarinë e tyre me një aplikacion tjetër, SBPay, i cili trajton pagesat biometrike, sipas një udhëzuesit QKB-së.
Duke iu referuar planeve të përgjithshme biometrike të Rusisë, Povolotsky pohoi në qershor se rusët “do të gjejnë gjithmonë një zgjedhje, t’i marrin shërbimet sipas zakonit të vjetër, apo t’i përdorin ato biometrike.”
Kjo zgjedhje është arsyeja pse eksperti i sigurisë Pavel Luzin, i cili më parë këshilloi liderin e ndjerë të opozitës ruse, Aleksei Navalny, thotë se shqetësimi i vërtetë për “Face Pay” mund të jetë mënyra se si njerëzit reagojnë ndaj tij.
Sisteme të tilla pagesash mund ta kontrollojnë sjelljen e njerëzve vetëm përmes frikës se ata janë të vëzhguar – pavarësisht nëse janë apo jo në të vërtetë, thotë ai.
“Njerëzit shohin kamerat. Atyre u thuhet diçka për inteligjencën artificiale dhe, kështu, ata tashmë kanë frikë se mund të marrin frymë në mënyrën e gabuar dhe e censurojnë veten,” tha Luzin nga Qendra për Analizimin e Politikave Evropiane me bazë në SHBA.
Ai i quajti investimet në “Face Pay” – të cilat kanë kapur shifrën prej 2.9 milionë dollarë vetëm për instalimet sipas Kommersant – si “mashtrime të kota” që nuk japin “asnjë rezultat praktik”.
Megjithatë, për rusët që zgjedhin të udhëtojnë me “Face Pay”, Fedorkov pohon se rreziqet ekzistojnë.
Forcat ruse të sigurisë, parashikoi ai, “nuk do të heqin dorë, nëse do të kenë mundësi, nga një sistem i vëzhgimit me video të njohjes së fytyrës, pasi teknologji të tilla ua mundësojnë atyre t’i identifikojnë në protesta masive edhe ata pjesëmarrës që i shpëtuan paraburgimit”./ REL
Top Channel