Tregtia online sa vjen e bëhet më e përhapur në çdo vend të botës, por ajo çfarë nuk kishim dëgjuar apo parë, ishte që kjo të vlente edhe për frymorët, konkretisht për kafshët e ndryshme.
Në Kinë tashmë kjo lloj tregtie e kafshëve, po kthehet gjithmonë e më shumë në trend, duke bërë që të porositen kafshë të ndryshme, apo zvarranikë, dhe të qëndrojnë të mbyllur në kuti gjersa të arrijnë tek pronari i tyre.
Shitjet e breshkave, hardhucave, brejtësve, maceve dhe qenve përmes platformave të tregtisë elektronike po bëhen gjithnjë e më të njohura, shkruajnë mediat kineze.
Procesi i shitjes së kafshëve online bëhet duke transportuar kafshë nga një skaj i vendit në tjetrin në kuti plastike dhe jo-rrallë herë ndodh që ato të ngordhin gjatë transportit. Kjo praktikë në tregtinë elektronike ka hasur në kritika në Veyb, një nga platformat më të njohura të mediave sociale të vendit.
Përdoruesit në rrjetet sociale deklarojnë se shitësit, blerësit dhe kompanitë e transportit duhet të ndëshkohen dhe shumë kanë shprehur gjithashtu zemërim për këtë trajtim çnjerëzor të kafshëve.
Pas një numri të madh reagimesh ndaj faktit se kafshët kalojnë qindra kilometra në kuti të mbyllura, policia kineze ka nisur hetime.
Në qytetin jugperëndimor të Kinës, Chengdu, janë sekuestruar 160 këlyshë qensh dhe macesh dhe u konstatua se disa këlyshë kishin ngordhur. Kompania ZTO Express, e cila ishte e përfshirë në transportin e kafshëve, i kërkoi falje publikut ndërsa në deklaratë thuhet se aktivitete të tilla janë pezulluar.