TIRANË- Konferenca e Kryetarëve të Grupeve Parlamentare miratoi udhërrëfyesin për Funksionimin e Institucioneve Demokratike, një dokument politik thelbësor për procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Ky udhërrëfyes,  i cili është një nga parakushtet kryesore për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian, u miratua pa prezencën e opozitës, e cila ka bojkotuar punën e Kuvendit.

“Me bojkotin e ditës së sotme nga opozita, vetëm socialistët kanë dhënë votën e tyre për miratimin e dokumentit dhe udhërrëfyesit për funksionimin e institucioneve demokratike”, raportoi gazetarja e ABC News, Fjona Xhafaj.

Partia Demokratike ka ashpërsuar qëndrimet e saj politike duke braktisur komisionet parlamentare në shenjë revolte pas burgosjes së deputetit Ervin Salianji.

Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e shkallës së parë, e cila dënoi deputetin demokrat me një vit burg për “kallëzim të rremë” për dosjen e njohur “Babale”.