Mediat turke kanë publikuar detaje të tjera në lidhje me arratinë e bosit të kriptomonedhës “Thodex”, Faruk Fatih Ozer, i cili dyshohet se fshihet në Shqipëri. Sipas “Sabah” ai është duke qendruar në Shqipëri dhe i ka shpëtuar deri më tani operacioneve të kapjes nga policia shqiptare duke dhënë rryshfet, raporton abcnews.al.

Gazetari Saffet Azak shkruan se Faruk Fatih Ozer ka paguar 350 euro rryshfet për t’i shpëtuar kapjes dhe aktualisht është duke kontaktuar me persona të lidhur me mafian në jug të Shqipërisë me qëllim arratisjen me gomone për në Itali.

Më herët mediat turke publikuan pamje nga momenti kur ai ishte paraqitur në sportelin e një hoteli në Tiranë ku prenotoi për tre netë, por ndejti vetëm dy sepse kuptoi që po ndiqej nga policia.

Arratia

Media turke “EnSonHaber” shkruante se fill pas ardhjes në Shqipëri, Faruk Fatih Özer u vendos në një hotel pranë Zogut të Zi në Tiranë duke prenotuar tre netë, por se doli prej andej natën e dytë duke u fshehur në një shtëpi pranë zonës së “Pazarit të Ri” në Tiranë. Ajo ishte shtëpia e çiftit që e priti në Rinas.