Adrion Pajaziti është surpriza e listës së Silvinjos për ndeshjet ndaj Çekisë dhe Gjeorgjisë. 21-vjeçari doli në konferencë për shtyp sot ku pranoi se dëshiron që të punojë fort që të thërritet gjithmonë me kombëtaren. Ai tha se ndihet gati për të luajtur në çdo moment që Silvinjo do ia kërkojë diçka të tillë.

“Jam gati për çdo moment. Trajneri vendos të më fusë jam gati. Ndihem mirë fizikisht. Jam në formë të mirë. Kam konfidencë dhe vetbesim shumë”, tha Pajaziti.

Bashkë me Pajazitin në konferencën për shtyp ishte edhe Arlind Ajeti. Mbrojtësi tha se të dyja ndeshjet e Tetorit për Ligën e Kombeve janë vendimtare.

“Besoj që çdo ndeshje do jetë vendimtare, si kjo me Çekinë dhe tjera me Gjeorgjinë. Të shikojmë ndeshjen e parë, të mundohemi të marrim një rezultat të mirë dhe pastaj të vazhdojmë me Gjeorgjinë”, tha Ajeti.

Duket se reparti defensiv është në gjendje shumë të mirë për momentin. Megjithatë, Ajeti thotë se konkurrenca i bën mirë skuadrës dhe në fund do të luajë ai që vendos trajneri.  

“Sa të jemi të gjithë në formë dhe kemi paraqitje të mira do ketë gjithmonë një konkurrencë të fortë. Jam i lumtur për çdo lojtar që ka performancë të mirë për ekipin, por këtu në fund e vendos trajneri”, tha Ajeti./tvklan.al