Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier ka vendosur “Shtrim të detyruar në spitalin psikiatrik” për 42-vjeçarin Altjon Sulejmanaj, i arrestuar dy ditë më parë pasi tentoi të vriste prindërit e tij të moshuar, Shaqir dhe Selfixhe Sulejmanaj.

Sipas hetimeve, ai i vuri zjarrin banesës ku ata jetonin, në katin e tretë të një pallati 4-katësh në lagjen “15 Tetori” në Fier. Sulejmanaj akuzohet për tri vepra penale: “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare,” mbetur në tentativë, “Dhuna në familje,” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr.”

Ky nuk është incidenti i parë me autorin, pasi dy vite më parë ai kishte tentuar të digjte një lokal në të njëjtën zonë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Procesin gjyqësor e ka drejtuar gjyqtarja Miranda Naka, ndërsa avokat mbrojtës ishte Ervis Hajdërmataj.