Qytetarët amerikanë më 5 nëntor votojnë për zgjedhjet historike presidenciale, për të cilat votuesit janë të ndarë në nivel vendi, por edhe në shtatë shtete kryesore që pritet të përcaktojnë rezultatin mes ish-presidentit republikan, Donald Trump, dhe nënpresidenten demokrate, Kamala Harris.
Qendrat e votimit nisin të hapen nga ora 05:00 në disa shtete lindore dhe votimet do të vazhdojnë në mbarë vendin, përfshirë në Alaskë dhe Havai, deri në orët e mbrëmjes në shtetet që gjenden në perëndim të Shteteve të Bashkuara.
Rezultati i kësaj gare të ngushtë nuk pritet të dihet për ditë të tëra në disa shtete sikurse Pensilvani, ku numërimi i votave me postë është proces më i ngadalshëm. Dalja në zgjedhje pritet të jetë e lartë, sipas Byrosë së Regjistrimit.
Mbrëmjen e 4 nëntorit zyrtarët federalë zgjedhorë paralajmëruan se me një garë kaq të ngushtë, Rusia dhe Irani po intensifikojnë fushatat e tyre të ndikimit me synimin që të ndjellin përçarje në mesin e votuesve amerikanë me qëllim që të nxitet dhunë ndaj zyrtarëve zgjedhorë, pas një fushate të ashpër.
Trump po garon për herë të tretë, pasi humbi zgjedhjet më 2020 ndaj presidentit aktual, Joe Biden, i cili u tërhoq nga gara presidenciale në korrik pasi sondazhet treguan se ai kishte pasur një paraqitje të dobët gjatë debatit me Trumpin dhe kishte shqetësime lidhur me moshën e tij.
Zëvendësimi i tij nga radhët e demokratëve, Harris, nëse zgjidhet do të bëhej gruaja e parë presidente e SHBA-së dhe personi i parë me prejardhje nga Azia Jugore. Trump do të bëhej presidenti i dytë në histori që do të fitonte mandat presidencial në mënyrë jo të njëpasnjëshme. I vetmi president që e kishte bërë këtë ishte Grover Cleveland, në fund të shekullit 19-të.
Harris, 60-vjeçare, e ka paraqitur veten si ndryshim brezash nga Bideni, 81 vjeç, dhe Trumpi 78 vjeç.
Ajo ka shprehur mbështetjen e saj për të drejtën e abortit pas vendimit të vitit 2022 të Gjykatës Supreme që i dha fund të drejtës kushtetuese për abort. Ajo po ashtu e ka cilësuar Trumpin si rrezik për demokracinë dhe ka përmendur rolin e tij në sulmin e 6 janarit ndaj ndërtesës së Kongresit amerikan dhe refuzimit që të pranojë humbjen nga Bideni më 2020.
Trump ka përdorur thirrjet e tij populiste për të përçuar mesazhin se gjatë mandatit të dytë ai do të bëjë më shumë për të përmirësuar ekonominë, për të frenuar valën e migrantëve që hyjnë në SHBA dhe ka thënë se do të ishte më i ashpër kundër kundërshtarëve të shtetit, sikurse Kina.
Rezultati i zgjedhjeve amerikane mund të prekë Ukrainën më shumë se çdo vend tjetër i huaj.
Kandidatët kanë dy qëndrime shumë të ndryshme sa i përket mbështetjes për Ukrainën, mbrojtja e së cilës kundër trupave pushtuese ruse varet shumë nga mbështetja ushtarake, financiare dhe diplomatike që i jep SHBA-ja.
Harris ka thënë se ajo do të vazhdojë politikën e Bidenit për të ndihmuar Ukrainën, duke shprehur dëshirën që ta shohë të mposhtur Rusinë.
Trump ka vënë në pikëpyetje mbështetjen amerikane për Ukrainën, duke thënë se Evropa duhet ta bartë pjesën më të madhe të barrës së mbështetjes të Ukrainës kundër pushtimit të nisur nga Rusia, dhe po ashtu e ka vënë në dyshim të ardhmen e NATO-s.
Dy kandidatët presidencialë kanë tentuar që në ditët e fundit të fushatës të fitojnë sa më shumë mbështetje dhe secili prej tyre e kanë portretizuar veten si vendimtar për të ardhmen e Amerikës.
Më 4 nëntor, Harris qëndroi në Pensivlani, ku 19 votat zgjedhore janë të rëndësishme në mesin e shteteve kryesore që pritet të përcaktojnë rezultatin e Kolegjit Zgjedhor.
“A jeni gati për ta bërë këtë?”, u tha Harris mbështetësve të saj në Skranton, duke qëndruar para një mesazhi të madh ku shkruhej “Voto për Lirinë”.
Trump e nisi ditën e 4 nëntorit me një fushatë në Karolinën e Veriut, para se të merrte pjesë në dy tubime në Pensilvani dhe më pas e përmbylli fushatën në Miçigan.
“Nëse fitojmë Pensilvaninë, do t’i fitojmë zgjedhjet”, tha Trump.
Këto tri shtete së bashku me Viskonsinin, Xhorxhian, Arizonën dhe Nevadën janë shtetet që pritet të përcaktojnë se kush do të jetë presidenti i ardhshëm i SHBA-së.
Sipas sistemit amerikan, nuk është vota popullore ajo që përcakton se kush do të jetë president, por Kolegji Zgjedhor prej 538 anëtarësh, në të cilin secili shtet ka një numër të përcaktuar paraprakisht të zgjedhësve, që është numër i barabartë me numrin e përfaqësuesve që shtetet kanë në Kongres.
Çdo shtet, me përjashtim të Nebraskës dhe Mejnin, ua japin votat në Kolegjin Zgjedhor kandidatit që ka më së shumti vota popullore në shtetin përkatës.
Nëse Harris dhe Trump dështojnë të arrijnë shumicën prej 270 votash në Kolegjin Zgjedhor, Dhoma e re e Përfaqësuesve në janar do të zgjedhë presidentin dhe Senati i ri po ashtu do të zgjedhë nënpresidentin.
Më shumë se 77 milionë votues veçse kanë votuar, por zgjedhjet e 5 nëntorit do të jenë test kritik se cili kandidat ka bërë punë më të mirë për të bindur mbështetësit e tyre që të votojnë.
Harris veçse ka votuar përmes postës. Trump planifikon të votojë në Florida në ditën e zgjedhjeve.
Radio Evropa e Lirë do t’i mbulojë drejtpërdrejt votimet në SHBA, deri te shpallja e fituesit. Na ndiqni në evropaelire.org dhe në kanalet tona në rrjetet sociale./ REL
Top Channel