Top Channel ka siguruar dosjen e ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja.

Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se Çyrbja ka komunikuar përmes aplikacionit të enkriptuar “Sky ECC” me persona të shpallur në kërkim informacion rreth përmbajtjes së dokumenteve dhe akteve që sipas ligjit përbëjnë sekret shtetëror.

Ish-deputeti i cili u la në burg nga Gjykata e Posaçme akuzohet për tre veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe Tregtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”.

Më poshtë nga bisedat e transkriptuara nga aplikacioni Sky Ecc ish-deputeti i jep informacion sekret të kërkuarit Besmir Huqi.

Sipas dosjes, “nga analiza e komunikimeve të zhvilluara në datë 29.12.2020, rezulton se, personi nën hetim është informuar nga shtetasi Besmir Huqi (alias Farruku), se këtë të fundit, edhe një të afërmin e tij i kishin shpallur në kërkim, lidhur me problemet ligjore që kanë patur me autoritetet italiane të drejtësisë, Por, meqenëse Besmiri nuk ishte i sigurt për arsyet e shpalljes në kërkim, ka kërkuar ndihmë nga i hetuari që të interesohej lidhur me saktësinë e informacionit që i kishin dhënë.

Më poshtë është komunikimi mes tyre në datën29.12.2020: “Na kan qit në kërkim, kan kap erin. Nuk jam i sigurt, duhet me mor informacion”, i hetuari i kthen përgjigje s ee kishte kuptuar shqetësimin, dhe do angazhohej për të marrë informacion: “Kuptoj, Ok se marr un”. Në vijim, bashkëbiseduesi i dërgon gjeneralitetet e tyre: “Ngjo do ma shofësh emin. Të jap timin ene të Visit, Besmir. Huqi. Ergys huqi”.

Ndërsa, në komunikimet e datës 30.12.2020, ora 16:52:00 i hetuari e informon Besmirin se, informacioni rreth tij ka qenë i saktë, pasi në ngarkim të tij kishin ardhur aktet për shpalljen e personit në kërkim nga jashtë shtetit, duke i konfirmuar dhe akuzën konkrete për të cilën ishin të shpallur në kërkim: “Villa te kan ardh nga andej), organizat kriminale, trafik”.

Top Channel