Në dhjetor të vitit 2022 Kastrati Group mori 100% të aksioneve të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, ku u përballën me plot sfida, si çmimet e larta të biletave për udhëtimet, apo numrin e kufizuar të fluturimeve dhe kapacitetet.

Presidenti i Grupit Kastrati, Shefqet Kastrati, në vitin 2021 u shpreh se shumë shpejt “do të jemi lider të rajonit”.

“Sipas ekspertëve tonë dhe ndërkombëtar, mendojnë se brenda tre vitesh do të shkojmë në 10 milionë pasagjerë në vit. Më ketë fluks që kemi dhe që mendojmë se do të ecë, aeroporti ndihmon ekonominë, biznesin, turizmin”, ishte kjo deklarata e bërë në vitin 2021 nga Shefqet Kastrati, një parashikim i bërë realitet këtë vit.

Tashmë në vitin 2024, Tirana International Airport është një histori suksesi. Drejtori ekzekutiv i Kastrati Group, Piervittorio Farabbi, shprehet se numri i pasagjerëve nuk rritet rastësisht.

“Numri i pasagjerëve nuk rritet thjeshtë me magji, por fillimisht ishte vendimi për të krijuar kapacitetet, më pas për ta kthyer aeroportin dhe Shqipërinë, Tiranën, si një destinacion atraktiv”, u shpreh ai ndërsa shtoi se tashmë janë më shumë se 100 destinacione direkte.

“Një tjetër plan që ne kemi është që të instalojmë panele diellore këtu në aeroport në mënyrë që të mundësojmë ndriçimin e të gjithë aeroportit, ndërkohë që çdo dritë që kemi aktualisht, është LED”, tha ai.

“Ne kemi dyfishuar numri e të punësuarve, kemi më shumë se 1200 të punësuar direkt nga TIA”, u shpreh Farabbi.

Për Kastrati Group, fokusi mbetet gjithmonë te pasagjeri, ofrimi i një shërbimi sa më të mirë dhe siguria në aeroport!

Top Channel