Ndalimi i 4 personave në maj të këtij viti që në çantë iu gjetën 10 pistoleta solli fillimin e një bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Në procedimet e përbashkëta mes dy vendeve është provuar shitja e armëve të zjarrit ku janë përdorur dhe agjentë të infiltruar.
Për të zbardhur rrjetin e trafikut të armëve, policia shqiptare ka administruar dëshminë e një prej të arrestuarve në muajin maj të këtij viti, dhe ky informacion më pas i është dërguar autoriteteve kosovare. Nga hetimi është zbuluar se armët vinin nga Turqia si armë sportive dhe më pas në Ferizaj modifikoheshin dhe bëheshin armë zjarri. Trafikantët përdornin ditën e shtunë dhe të dielë për kalimin në kufi pasi sipas një marrëveshje, makinat nuk kontrolloheshin dhe kjo ishte në favor të trafikantëve.
Shpesh herë armët e zjarrit në Kosovë shkëmbeheshin jo vetëm me para, por edhe me kokainë.
Këtu futet roli i Euxhenio Manushit, i arrestuar pak ditë më parë në një operacion antidrogë. Sipas policisë, ky i fundit interesohej për armë dhe në shkëmbim jepte kokainë. Hetimet kanë provuar se në disa episode ai së bashku me persona të tjerë kanë shkuar drejt Kosovës me lëndë narkotike me vete dhe në kthim ata kanë sjellë armë zjarri. Policia e Tiranës po verifikon episode ku armët e sjella nga Turqia disa herë kanë tentuar të trafikoheshin edhe në vendet e tjera fqinje, për të cilët nëse provohet, do t’i rëndohet akuza e personave nën hetim.
Në dy fazat e operacionit, në vendin tonë janë arrestuar 10 persona dhe në Kosovë 13 shtetas.