Ambasada amerikane ka intensifikuar ditët e fundit aktivitetin e saj politik me takime me përfaqësues të opozitës së vendit.

Top Channel raportoi sot se e Ngarkuara me Punë e SHBA, Nancy Van Horn ka zhvilluar pak ditë më parë një takim me pesë deputetë të PD-së, Jorida Tabakun, Oerd Bylykbashin, Tomorr Alizotin, Helidon Bushatin dhe Kreshnik Çollakun.

Takimi u konfirmua edhe nga një njoftim i vetë ambasadës, e cila theksoi se “Një opozitë e shëndetshme është pjesë me rëndësi kritike e një demokracie të gjallë. I vlerësoj mundësitë që kam pasur muajt e fundit për t’u takuar me përfaqësues të ndryshëm të opozitës për të dëgjuar një larmi këndvështrimesh mbi sfidat me të cilat përballet populli shqiptar, shqetësimet për mjedisin e ardhshëm zgjedhor dhe sesi Shqipëria mund të ndërtojë një të ardhme më të mirë”.

Por pesë deputetët e PD-së nuk janë të vetmit që janë takuar me zyrtaren e lartë amerikane. Top Channel ka mësuar se ajo ka pasur një takim edhe me faktorë të tjerë të pakicës në Kuvend, deputetët Enkelejd Alibeaj, Dashamir Shehi, Flutura Açka dhe Agron Shehaj.

Ajo që bie në sy është fakti se në takimin me deputetët demokratë nuk ka qenë i pranishëm kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi, i cili pas shpalljes së Berishës non grata në vitin 2021 ka qenë një ndër deputetët me të cilin ambasada amerikane mbante kontakte të rregullta.

Top Channel