Rreth 1.2 milionë doza të AstraZeneca dhe Pfizer pritet të shpërndahen nga plani paraprak. Shqipëria ka parapaguar për këtë program 3.9 milionë euro.Foto:Flickr
Komisioni Europian nuk do ta rinovojë kontratën me kompaninë AstraZeneca për të marrë doza të tjera kundër COVID nga kompania anglo-suedeze.
Lajmi u bë i ditur nga Komisioneri i Tregut të Brendshëm të Bashkimit Europian, një ditë pasi BE-ja ritheksoi mbështetjen për vaksinën e Pfizer – BioNtech, duke nënshkruar një marrëveshje të re për 1.8 miliardë doza që do të shpërndahen deri në vitin 2023.
Dy javë më parë, Bashkimi Europian nisi procedurat ligjore ndaj AstraZeneca-s për mos përmbushje të kushteve në kontratën e firmosur me 27 vendet anëtare të Unionit.
Vaksina e Astra Zeneca-s fillimisht ishte në qendër të fushatës së imunizimit në Europë dhe pjesë e strategjisë botërore për të shpërndarë vaksina në vendet e varfra, pasi është më e lirë dhe më e lehtë në përdorim se vaksina Pfizer.
Ritmi i ngadaltë i dërgesave solli frustrimin e europianëve të cilët mbajnë kompaninë përgjegjëse për vonesat. Ndërkohë, nga ana tjetër, Britania e Madhe e konsideron faktor kyç vaksinën në fjalë në suksesin e fushatës së tyre të vaksinimit.