Shkëlqen sa herë që prezantohet. Në Hungari, Spanjë apo Kroaci, Myrto Uzuni ka qenë gjithmonë një yll që nga dita e parë, dhe po ashtu ka shkëlqyer që kur ka vënë këmbën në fushë, e derisa është larguar.
Golat kanë qenë të shumtë, 126 për aq sa I njihen që nga Apolonia në 2013 e deri te Granada pak javë më parë, të cilëve u ka shtuar 42 asistë në gjithsej 322 ndeshje.
Tashmë, për të fillon aventura e radhës, në ekipin e 7-të të karrierës. U largua gati 10 000 kilometra për në Ostin të Teksasit, me shpresën se do të lerë gjurmën edhe aty.
Kontrata është trevjeçare, deri në 2027, me të drejtë rinovimi edhe një sezon tjetër. Vlerësimin që klubi amerikan I bën shqiptarit e tregon fanela me numrin 10 që do të mbajë të veshur.
Tifozët padyshim që e kanë pritur shumë mirë, rroga pritet mbi 3 milionë dollarë, ndërsa klauzola e transferimit që iu pagua Granadës ishte 12 milionë euro.
Vetë Uzuni ka një fjalë për tifozët.
“Përshëndetje gjithë tifozëve të Ostinit! Myrto Uzuni është këtu. Shpresoj që të shihemi sa më shpejt në stadium. Përpara!”
Aktualisht, Ostin është në fazë përgatirore të nisur rreth 11 ditë më parë, ndërsa sezoni I ri I vitit 2025 nis në 22 shkurt. Uzuni do të jetë në Ligën Profesioniste Amerikane, aty ku luajnë Lionel Mesi, Luis Suarez, Sergi Buskets apo Zhordi Alba, ndonëse do të jetë në Konferencën tjetër, atë Perëndimore.