Deputetja e PS Klotilda Bushka, ka reaguar për herë të parë këtë të martë, pas hetimit të SPAK ndaj saj.
“Ju sqaroj sqaroj që është një komision ligjesh dhe jo një komision hetimor, unë jam drejtuesja e këtij komisioni dhe po ushtroj detyrën time. Në lidhje me atë që thoni ju, nëse kam dicka për të sqaruar do ta sqaroj atje, ku edhe sqarohen cështjet që ngrini. Sa i takon cështjes së dinjitetit kam qenë e dinjitetshme, jam dhe do vijoj të jem e dinjitetshme.” tha Bushka.
Reagimi erdhi në përgjigje të deputetit Dashnor Sula, i cili kërkoi në nisje të mbledhjes së Komisionit të Ligjeve që znj. Bushka nuk mund të drejtojë këtë mbledhje por dikush tjetër.
“Ne si gjithë Komisioni i Ligjeve duhet të kishim reagim unifikues me situatën që ka ndodhur. Prandaj, zonja kryetare, mund t’ja lini radhën zonjës Çupi të drejtojë mbledhjen apo kujtdo anëtare e Komisionit mund ta kishte këtë aftësi.” u shpreh Sula.
Në njoftimin zyrtar për arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, SPAK zbuloi se ka vënë në hetim edhe deputeten e PS Klotilda Bushka, ndaj të cilës Prokuroria e Posacme po kryen hetime paraprake si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
“Përveç sa është përmendur mësipër, Prokuroria e Posaçme po kryen hetime paraprake ndaj deputetes së Kuvendit të Shqipërisë, shtetases K. B. Emri i kësaj të fundit është regjistruar në regjistrin përkatës të njoftimeve si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal.
Deri në këtë fazë konstatohet se ekzistojnë të dhëna konkrete të cilat të çojnë tek dyshimi i arsyeshëm se personi nën hetim K. B. ka kryer veprime aktive të kundërligjshme të cilat kanë interferuar me hetimin e organit procedues në lidhje me procedimin penal nr. 27 të vitit 2024.” thuhej në njoftimin e SPAK./abcnews.al
![](https://egnatianews.com/wp-content/uploads/2022/07/WhatsApp-Image-2022-07-21-at-7.14.33-PM.jpeg)