30-vjeçarja e gjetur pa jetë në banesën e marrë me qira në rrugën “Gjon Muzaka” në kryeqytet ka disa plagë në trup të shkaktuara nga një mjet i mprehtë, i dyshuar thikë.
E reja mendohet se është shtetase e huaj. Ajo e kishte marrë shtëpinë bashkë me një person tjetër i cili është larguar pa gjurmë.
Ajo është gjetur e vdekur nga pronari i shtëpisë ndërsa ka qenë pikërisht ky i fundit i cili ka njoftuar policinë.
Dyshohet se 30-vjeçarja është vrarë disa ditë më parë në banesën ku jetonte.
Policia jep informacionin e parë:
Rreth orës 12:55, në rrugën “Gjon Muzaka”, është gjetur pa shenja jete në banesën që kishte marrë me qira, një shtetase (dyshohet e huaj), rreth 30 vjeçe.
Gjatë këqyrjes paraprake të trupit janë konstatuar plagë që dyshohet se janë shkaktuar me mjet prerës.
Trupi i pajetë do t’i nënshtrohet ekspertizës mjekoligjore.
Grupi hetimor po punon për identifikimin e kësaj shtetaseje, sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.
(BalkanWeb)
