Sot është afati i fundit për dorëzimin e koalicioneve parazgjedhore, ndërsa Partia Demokratike vijon negociatat me aleatët për të finalizuar marrëveshjet e saj elektorale.

Sipas raportimit të gazetarit Osman Stafa, bisedimet mes aleatëve dhe sekretarit të përgjithshëm të PD, Flamur Noka, kanë vijuar për ditë me radhë në selinë blu.

Deri më tani, PD ka arritur një marrëveshje me Partinë e Lirisë, e cila do të ketë katër deputetë në listat e mbyllura. Po ashtu, Partia Republikane, PBDNJ e Vangjel Dules dhe Partia Agrare Ambientaliste kanë siguruar nga një vend secila.

Ndërkohë, ende nuk ka një dakordësi të qartë me PDIU-n e Shpëtim Idrizit. Sipas Stafës, burime nga opozita bëjnë me dije se PD i ka ofruar PDIU-së një vend në listat e mbyllura, por nuk dihet nëse kjo ofertë do të pranohet nga Idrizi, i cili së fundmi është takuar me Sali Berishën në Kuvend.