Lech Walesa, ish-presidenti polak i cili luajti një rol drejtues në rënien e komunizmit, nënshkroi një letër drejtuar presidentit amerikan Donald Trump, ku shprehte “tmerrin” nga përballja me Volodymyr Zelenskyn.
Fituesi i Çmimit Nobel për Paqen postoi tekstin e letrës, e cila u nënshkrua nga 39 ish-të burgosur politikë polakë.
Në një takim që u transmetua drejtpërdrejt të premten, Trump akuzoi Zelenskyn se ishte mosmirënjohës për ndihmën amerikane, se kishte treguar mungesë respekti ndaj vendit të tij dhe se rrezikonte Luftën e Tretë Botërore, duke hedhur në dyshim mbështetjen e vazhdueshme të Uashingtonit për Ukrainën në luftën e saj tre-vjeçare me Rusinë.
“Ne e pamë bisedën tuaj me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy me tmerr dhe neveri,” thoshte letra.
Trump dhe nënpresidenti JD Vance sulmuan Zelenskyyn gjatë takimit, duke i çuar marrëdhëniet me aleatin më të rëndësishëm të Kievit gjatë kohës së luftës, në një nivel të ulët. Liderit ukrainas iu tha të largohej.
Letra e nënshkruar nga Walesa krahasoi atmosferën gjatë takimit me atë të “marrjes në pyetje nga Shërbimi i Sigurisë në gjykatat komuniste”.
Ai gjithashtu u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të përmbushin garancitë e sigurisë dhënë Ukrainës në vitin 1994 pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.
“Këto garanci janë të pakushtëzuara, nuk ka asnjë fjalë rreth trajtimit të ndihmës së tillë si shkëmbimi ekonomik,” thoshte letra.
Ambasada amerikane në Varshavë tha se pyetjet mbi letrën duhet t’i drejtohen zyrës së shtypit të Shtëpisë së Bardhë, e cila nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese me email për koment.
Presidenti aktual i Polonisë, Andrzej Duda tha të shtunën se Zelenskyy duhet të kthehet në negociatat me SHBA.
