Revolucioni i Flamingove është zhvendosur edhe në Gjermani. Qindra shqiptarë të diasporës u mblodhën në Mynih, ku organizuan një protestë me thirrje kundër qeverisë dhe kërkuan llogaridhënie për një sërë çështjesh që, sipas tyre, prekin interesin publik.

Protestuesit mbanin pankarta dhe banderola ku kërkonin transparencë, denonconin dhunën policore, kundërshtonin projektin në Zvërnec, shitjen e trojeve, si dhe kërkonin dorëheqjen e qeverisë dhe të kryeministrit Edi Rama.

Vëmendje tërhoqi një pankartë me fotografinë e të moshuarës që u tërhoq zvarrë nga policia gjatë protestës së të enjtes pranë Kuvendit. Krahas fotos ishte vendosur edhe një mesazh që kërkonte përgjegjësi për dhunën e ushtruar ndaj saj. Protestat e diasporës janë shtuar gjatë muajve qershor dhe korrik, me tubime të organizuara në disa kryeqytete europiane dhe botërore, si edhe përpara ambasadave shqiptare.

GEAM Sh.p.k