Aulon Naçi është zgjedhur në krye të Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor.
Përzgjedhja u bë nga një juri, përmes një procesi konkurrimi platformash, të zyrtarizuar me miratim nga Këshilli i Ministrave, njofton Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Naçi ka një karrierë të pasur dhe të spikatur në fushën e muzikës dhe kompozicionit. Ai ka përfunduar studimet në Konservatorin “J. Tomadini” në Udine, Itali, duke u diplomuar me maksimumin e notave dhe me titullin nderi. Më pas, ka vazhduar specializimin në Belgjikë, si asistent lektor në Konservatorin Mbretëror të Brukselit për një vit.
