Trajneri i përfaqësueses Silvinjo publikoi listën me 26 lojtarë për dy takimet e para të Shqipërisë në eliminatoret e Kupës së Botës kundër Anglisë dhe Andorës.
Tekniku brazilian ka qenë jo pak i kondicionuar nga dëmtimet e disa lojtarëve në zgjedhjet e tij. Në portë është Strakosha, ndonëse me disa probleme fizike, dhe veç tij janë Kastrati, Sherri dhe Simon Simoni.
Dy mungesa të rëndësishme janë në krahët e mbrojtjes, konkretisht Elseid Hysaj dhe Mario Mitaj. Nëse Hysaj dihej, Mitaj është një problem i madh i shtuar pasi së fundmi është dëmtuar në kampionat me Al-Ittihad në Arabinë Saudite. Në vend të tyre janë Andi Hadroj dhe Naser Aliji.
Ky i fundit shpërblehet për formën aktuale tek Dinamo në Superioren Shqiptare. Garanci, padiskutim, në prapavijë është qëndra me Kumbullën, Gjimshitin dhe Ismajlin. Në mesfushë nuk janë për arsye dëmtimi Abrashi dhe Kejdi Bare, por janë për herë të parë ish-kapiteni i përfaqësueses së shpresave të Kosovës, Etnik Brruti, si dhe Julian Shehu, ish-lojtari i Laçit që po shkëlqen në Poloni tek Widzew Łódź.
Konfirmohet në mesfushë edhe Adrion Pajaziti, përveç të zakonshmëve tashmë Kristjan Asllani, Ramadani, Medon Berisha, Qazim Laci dhe Nedim Bajrami. Në mesfushë FSHF ka llogaritur edhe Arbër Hoxhën, ndonëse lojtari i Dinamo Zagreb në skemat e Silvinjos ka luajtur gjithmonë si futbollist ofensiv i krahut. Mëqenëse jemi tek sulmi, vihet re mungesa për shkak dëmtimesh e treshes Seferi, Mirlind Daku dhe Indrit Tuci.
Janë grumbulluar Ernest Muci, Jasir Asani, Myrto Uzuni dhe Rei Manaj. Befasia më e madhe është Armando Broja, i cili ka vetëm pak ditë që po stërvitet tek Everton pas dëmtimit të rëndë. Mungesa më evidente në listë është ajo e Anis Mehmetit, që po bën një sezon fantastik tek Bristol City në Championship.
Grumbullimi i kuqezinjve nis të dielën në Tiranë, ndërsa seanca e parë është të hënën. Dueli ndaj Anglisë luhet në Uembli më 21 mars, ndërsa kundër Andorës 3 ditë më vonë në Tiranë.
