Rastet e dhunës në familje janë rritur ndjeshëm muajt e fundit, ndërsa nuk kanë munguara as ngjarjet fatale ku gratë janë vrarë nga bashkëshortët e tyre. Statistikat e gjykatës së Tiranës, nga 1 janari deri më 10 maj të 2021 konfirmojnë se janë regjistruar 1226 kërkesa për zgjidhje martese, nga 840 të regjistruara në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Togat e zeza kanë lëshuar gjithashtu 37 urdhra të menjëhershëm të mbrojtjes.
Sipas juristes Vjollca Pustina, problem mbetet tërheqja e denoncimeve nga gratë e dhunuara
“Ka kërkesa të vazhdueshme nga gra që kërkojnë nga gjykata lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes. Shtimi i rasteve të dhunës në familje la ardhur edhe si pasojë e pandemisë së gjatë, kushteve ekonomike, ndikon niveli kulturor dhe ai arsimor. Në momentin që bëhet kallëzimi pranë gjykatës, gratë në shumë raste e tërheqin, por dhuna vazhdon përsëri dhe arrin deri në raste tragjike si ajo e Elbasanit”, deklaron ajo për Vizion Plus.
Por ekspertët ngrenë, edhe një tjetër shqetësim. Sipas tyre, rastet e denoncuara shpesh herë nuk merren seriozisht nga uniformat.
“Jo në të gjitha rastet që denoncime e viktimave të abuzuara merren në konsideratë nga policia dhe kjo pastaj sjell më pas përshkallëzim të rasteve me pasoja të rënda për jetën”, deklaron drejtuesja e Komitetit të Helsinkit Erida Sendaj.
Skendaj shton se efektivët e policisë, duhet te trajnohen vazhdimisht për të menaxhuar këto lloj situatash.
“Duhet t’i kushtohet më shumë rëndësi profilit psikologjik, por edhe integritetit moral dhe profesional të policisë që merren me trajtimin e rasteve të dhunës në familje me qëllim që në momentin që një denoncim vjen të ketë vëmendjen e duhur”, thotë ajo.
Nga ana tjetër, burgimi i burrave dhunues nuk ka sjellë rezultat.
“Kemi patur raste ku njerëz të cilët kanë qënë të dënuar për dhunë dhe pas lirimit kanë kryer të njëjtin krim. Nuk është se kanë sjellë paralelisht parandalim të rasteve. Unë mendoj që më shumë rëndësi duhet të ketë gjurmimi i rasteve”, shton drejtuesja e Komitetit të Helsinkit.
Përfshirja e të dënuarve në krime të tjera pas lirimit, vjen si rezultat të mosfunksionimit të sistemit të burgjeve, ku sipas Skendaj mungojnë kushtet dhe stafi psiko-social.
“Sistemi ynë i burgjeve ka një numër të kufizuar të akomodimit. Ka problematikat e tij në drejtim të infrastrukturës dhe ka mungesë të punonjësve social, psikologëve dhe mjekëve neurologë që mund ti ofrojnë shërbime personave abuzues”, thotë ajo.
Nga 1 janari deri tani 3 gra janë vrarë nga bashkëshorti i tyre. 28-vjeçarja Irvana Hyka, e cila ishte shtatzënë, u vra me thikë nga burri i saj në sy të dy fëmijëve të mitur të tyre.
Thëllënza Shkira nga Kavaja u dogj e gjallë në makinë nga burri i saj, ndërsa Liljana Buzo u ekzekutua nga bashkëshorti i saj në derë të gjykatës ku kishte shkuar për divorcin e tyre.