Sa herë që Fondacioni Soros kthehet në debat politik në Shqipëri, pyetja që e shoqëron këtë debat është se kush e solli filantropin George Soros në Shqipëri.
Kandidati i PD-së për deputet, Myslym Murrizi ka publikuar sot një dokument që mban datën 10 janar 1992, pak java para zgjedhjeve të 22 marsit të atij viti që solli në pushtet Partinë Demokratike.
Vendimi i firmosur nga kryeministri i qeverisë teknike të asaj kohe, Vilson Ahmeti përcakton mënyrën se si do të nisë Fondacioni Soros aktivitetin e tij në Shqipëri.
“Këshilli i Ministrave vendosi: për veprimtarinë e fondacionit Soros me emërtimin ‘Shoqata e fondeve të hapura për Shqipërinë”, brenda datës 25 janar 1992, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të sigurojë zyrë, kurse Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare një apartament banimi, i cili të jepet me qira për një vit dhe të paguhet me lekë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, kurse zyra të jepet në përdorim pa qira nga kjo ministri”, thuhet në vendimin e firmosur nga Vilson Ahmeti.
