Sulmet me raketa vazhdojnë ende pas konfliktit Izrael-Palestinë dhe ata që po i vuajnë më së shumti pasojat janë fëmijët. Pamje shokuese kanë mbërritur së fundmi nga Gaza, ku disa fëmijë nxirren të pajetë nga rrënojat e banesave të tyre.
Ushtria izraelite vazhdoi mbrëmjen e djeshme sulmet në Rripin e Gazës, po ashtu Hamasi – grupi militant palestinez që drejton Gazën – u përgjigj me raketa, ndërsa konfilkti vazhdon të jetë shumë i zjarrtë prej 7 ditësh.
Fotografitë që janë shpërndarë këtë mëngjes kanë qenë shumë tronditëse, pasi në to shihen fëmijët e pajetë që nxirren nga rrënojat e shtëpive në Gaza pas sulmeve ajrore nga Izraeli gjatë mbrëmjes së djeshme. Ndërsa në disa imazhe të tjera shfaqen ekipet e kërkim-shpëtimit, që ndihmojnë fëmijët e plagosur të dalin nga shtëpitë e tyre të shkatërruara pas bombardimeve.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, 174 palestinezë kanë ndërruar jetë që nga nisja e konfliktit gjatë ditës së hënë. Mes të vrarëve janë edhe 47 fëmijë. Nga ana tjetër në Izrael kanë ndërruar jetë në total 10 njerëz, pas disa raketave të lëshuara nga Gaza.
Sakaq, ushtria izraelite ka njoftuar sot se ka bombarduar shtëpinë e liderit politik të grupit militant palestinez. Gjithashtu, BBC shkruan se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është zotuar të “vazhdojë të përgjigjet me forcë” ndaj sulmeve me raketa, mes thirrjeve nga komuniteti ndërkombëtar për t’i dhënë fund konfliktit të përshkallëzuar.