Erion Murataj PSD

Një punonjës policie është arrestuar në Rinas pasi është konfliktuar me dy persona të tjerë. Mësohet se shtetasi me iniciale E.Z., ka kanosur me armë dy personat A.H., dhe O.H.

“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë E. Z., me detyrë Ndihmës Specialist në Komisariatin e Policisë Rinas, i dyshuar për veprat penale “Kanosje” dhe “Shpërdorim detyre”.

Arrestimi i tij u krye pasi me datë 04.04.2025 rreth orës 22:00 pranë një parkimi në Fushë Krujë, është përfshirë në një konflikt fizik për motive të dobëta me shtetasit A. H. dhe O. H., duke kanosur jetën e tyre.

Në vendin e ngjarjes u sekuestrua një gëzhojë me kapsolle të goditura dhe një objekt metalik i deformuar i ngjashëm me atë të predhës. Gjithashtu nga veprimet e para hetimore, AMP ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë të llojit Glok 17 me 12 fishekë”, njofton AMP.