
Blerja e uniformave dhe këpucëve për Policinë e Shtetit pritet të kushtojë të paktën 27 milionë euro. Operatori i Blerjeve të Përqendruar njoftoi këtë të hënë çeljen e procedurës respektive ku fondi limit është në total 2.7 miliardë lekë nga ku peshën më të madhe prej 1.9 miliardë e zënë uniformat kurse pjesën tjetër këpucët.
Nga uniformat e këpucët te pulovrat me “grykë v” dhe këmishat ngjyrë bojë-qielli, bashkë me pelerinat e shiut apo rripat e pantallonave… Policia e Shtetit kërkon të blejë veshje për punonjësit e saj. Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka hapur tenderin me vlerë 2.7 miliardë lekë apo 27 milionë euro për blerjen e tyre.
“Prodhimi duhet të organizohet në mënyrë të tillë që furnizimi me uniforma i punonjësve të policisë të bëhet sipas sezoneve të verës apo dimrit, në mënyrë që të mbulohen nevojat në kohë. Lëvrimi i artikujve të uniformave verore duhet të kryhet jo më vonë se data 1 Maj të çdo viti dhe lëvrimi i uniformave dimërore duhet të kryhet jo më vonë se data 1 Tetor të çdo viti.”
Lidhur me garancitë autoriteti kontraktor nënvizon se lëvrimi i mallit duhet të shoqërohet me deklaratën përkatëse.
“Meqenëse kemi të bëjmë me artikuj për uniforma dhe këpucë për punonjësit e Policisë e Shtetit, cilësia e zgjedhjes së operatorëve ekonomik fitues duhet të jetë maksimale, bazuar në kapacitet ligjore, teknike, profesionale dhe financiare të tyre, pasi vetëm operatorët ekonomikë që plotësojnë kriteret e kualifikimit si më sipër, mund të marrin pjesë, duke siguruar që ofertat të jenë nga kompani të kualifikuara, serioze, të besueshme dhe me përvojën e duhur me qëllim realizimin me sukses të marrëveshjes kuadër që do të lidhet”.
