
Dy vajza nga komuniteti LGBT+ kanë bindur autoritetet britanike, që aprovuan kërkesën e tyre për azil, me argumentin se njerëzit në Shqipëri janë homofobë.
Dy gratë, që sipas Daily Mail janë nga Shkodra, pretenduan se në Shqipëri ishin rrëmbyer nga burra të maskuar, që i dhunuan dhe i sulmuan fizikisht. “E gjitha për shkak të orientimit tonë seksual”, janë shprehur ato në gjykatë, duke theksuar se do të ishte shumë e rrezikshme që ata të deportoheshin në shtëpi.
“Ndonëse homoseksualiteti nuk është i paligjshëm në Shqipëri, popullsia e vendit është konservatore dhe dominohet nga meshkujt”, është shprehur avokati i grave.
Në fund, gjykatësi vendosi që gratë mund të qëndrojnë në Britani për t’u garantuar të drejtat e njeriut, pasi ato janë ‘në rrezik të diskriminimit të mundshëm’ nëse kthehen.
Sipas dokumenteve të gjykatës, gratë ishin rrëmbyer, sulmuar seksualisht dhe abuzuar fizikisht nga disa burra, pasi ishin parë duke u puthur në publik. Avokatët e tyre theksuan se ekziston një lidhje e qartë mes orientimit të tyre seksual dhe faktit që ishin trafikuar, dhe se në Shqipëri viktimat e trafikimit shpesh fajësohen dhe stigmatizohen, duke pasur vështirësi në integrimin social dhe punësimin.
