
Tirana u trondit mbrëmjen e kësaj të enjteje nga një atentat me armë zjarri, ku mbetën të plagosur 4 persona, dy prej tyre të mitur.
Mësohet se autorët kanë ndjekur makinën deri tek rrethrrotullimi i Shkozës deri në lagjen rezidenciale Rolling Hills në Lundër, më pas ata kanë hapur zjarr në mënyrë të vazhdueshme.
Nga gëzhojat e gjetura në vendngjarje dyshohet se autorët kanë qëlluar me mbi 30 plumba. Dyshohet se atentatorët kanë qenë 3 persona, 2 kanë qëlluar me armë, ndërsa i treti ka patur rolin e shoferit.
Si në çdo ngjarje kriminale, autorët pasi kanë kryer krimin janë larguar me një automjet fuoristradë dhe në zonën e Lundrës e kanë djegur makinën e tyre dhe më pas janë larguar në drejtim të paditur.
Të plagosurit janë: Marko Bardhi Demiraj, 17 vjeç, Dior Demiraj, 11 vjeç (i pari nip i Vesel Demirajt, ndërsa 11-vjeçari është djali i tij), Arens Stafa, 34 vjeç, shoferi i familjes dhe Kian Mullahi, 19 vjeç, djali i Elona Mullahi, anëtare e bordit të korporatave në Raiffeisen Bank.
