
“Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky po ndjek një drejtim të gabuar në bisedimet për paqe”, deklaroi të mërkurën zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.
Presidenti amerikan Donald Trump është i irrituar me ritmin e bisedimeve për përfundimin e luftës në Ukrainë dhe mendon se Zelensky po ndjek një rrugë të gabuar në negociata, theksoi ajo.
“Presidenti është i zemëruar. Durimi i tij po shteron. Ai dëshiron të bëjë atë që është e drejtë për botën,” tha Leavitt për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë. “Ai dëshiron të shohë paqe. Dëshiron që vrasjet të ndalen. Por nevojitet që të dyja palët në këtë luftë të jenë të gatshme për ta arritur këtë.”
Ajo shtoi se, fatkeqësisht, presidenti Zelensky duket se po lëviz në drejtimin e gabuar.
Leavitt gjithashtu sqaroi se nuk do të ketë ulje të njëanshme të tarifave kundër Kinës.
Më herët, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi në një postim në platformën Truth Social se SHBA është “shumë pranë një marrëveshjeje” në lidhje me luftën në Ukrainë.
Në të njëjtin postim, Trump kritikoi Volodymyr Zelensky-n për deklaratën e tij se Ukraina nuk do ta njohë kurrë pushtimin rus të Krimesë, duke e quajtur këtë deklaratë provokuese dhe të dëmshme për bisedimet e paqes me Rusinë.
