Erion Murataj PSD

Pas 1245 ditësh në detyrë, kancelari Scholz mbyll mandatin. Në një ceremoni solemne ushtarake të Bundeswehr-it, ai u nderua për shërbimin e tij si kreu i qeverisë.

Pas 1245 ditësh në detyrë, Olaf Scholz largohet nga posti i kancelarit të Gjermanisë. Në një ceremoni solemne ushtarake të Bundeswehr-it, të quajtur “Großer Zapfenstreich”, politikani socialdemokrat u nderua për shërbimin e tij si kreu i qeverisë.

“Të mos harrojmë fuqinë që ka Gjermania kur qëndron e bashkuar”, kujtoi Scholz në fjalën e tij dhe shtoi: “Ishte dhe mbetet nderi i jetës sime që shërbeva si kancelar i kësaj Gjermanie”. Ai theksoi rëndësinë e sjelljes civile mes demokratëve dhe ruajtjen e respektit në politikë si vlerë që duhet mbrojtur. “Demokracia nuk do të thotë që të gjithë të kemi të njëjtin mendim – por që të kemi ndjenjën e një përkatësie të përbashkët,” tha ai.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Një dorë të lehtë” për Friedrich Merz

Në rreshtin e parë të ceremonisë qëndronte pasuesi i tij, që këtë të martë pritet të zgjidhet nga Bundestagu, si kancelari i dhjetë i Gjermanisë, Friedrich Merz, kryetari i Unionit Kristiandemokrat (CDU). “I uroj shumë sukses, fat dhe një dorë të lehtë. Në momentet e vështira – që me siguri do të ketë – i dëshiroj takime që sjellin forcë dhe shpresë”, tha Scholz.

Në traditën e ndarjes me ceremoni ushtarake (në gjermanisht: “Großer Zapfenstreich”) kancelarët kanë të drejtë të zgjedhin tri pjesë muzikore që luhet krahas repertorit tradicional të bandës, që përfundon me Himnin e Gjermanisë. Scholz kishte zgjedhur si reflektim personal “In My Life” nga Beatles, për nder të votuesve të tij në Brandenburg një pjesë nga Koncerti i dytë i Brandenburgut i Johann Sebastian Bach, dhe, si mesazh politik dhe personal, “Respect” nga Aretha Franklin – për të kujtuar kështu moton e fushatës zgjedhore të vitit 2021, që e bëri atë kancelar: Respekt për ty!

Bilanci i një qeverie të ndërlikuar

Olaf Scholz mori detyrën më 8 dhjetor 2021 si kancelari i nëntë i Gjermanisë. Ai udhëhoqi një koalicion të pazakontë trepartiak të qendrës së majtë – të njohur si “koalicioni semafor” – mes socialdemokratëve (SPD), Të Gjelbërve dhe liberalëve të FDP-së.

Por gjatë tre viteve në detyrë, qeveria e tij u përball me përplasje të shpeshta, të cilat kulmuan në grindjen për tavanin e borxhit publik në nëntor 2024. FDP u tërhoq nga koalicioni, duke e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme. Scholz kandidoi sërish për t’u bërë kancelar, por nuk fitoi. Me 1245 ditë në detyrë, ai është një nga kancelarët me mandat më të shkurtër në historinë e Gjermanisë. Vetëm Kurt Georg Kiesinger nga CDU ka pasur një mandat më të shkurtër – me 1.055 ditë në detyrë, në vitet 1966-1969.

Pavarësisht humbjes, Olaf Scholz ka thënë se do të mbetet aktiv në politikë si deputet në Bundestag: Ai ka fituar sërish mandatin e drejtpërdrejtë në Potsdam dhe do të vazhdojë të përfaqësojë qytetarët e tij./DW