Përveç vëmendjes në Tiranë ku PD-ja po lufton me Mundësinë për një mandat, apo në Fier, ku Lapaj pretendon një mandat të PS-së, një luftë e vërtetë për çdo votë po zhvillohet brenda zonjave të PS-së në listën e hapur të kryeqytetit.
Partia Socialiste ka marrë 19 mandate në Tiranë, ku 12 janë në listën e mbyllur dhe 7 në listën e hapur.
Sipas Kodit Zgjedhor nga këto shtatë mandate, 2 duhet të jenë gra për të plotësuar kuotat gjinore.
Teksa janë numëruar 1271 nga 1282 kuti, rezulton se pesë zonja po luftojnë për dy mandate deputetësh.
Aktualisht Anila Denaj duket më e favorizuar, teksa ka grumbulluar 8621 vota, ndërkohë që në vendin e dytë, në kutitë e fundit të numëruara, është ngjitur Blerina Gjylameti me 5709 vota, kurse Olta Xhaçka 5676.
Në garë gjithashtu, por më pak të favorizuara janë edhe Kejsi Elezi, e cila numëron 4950, kurse Etilda Gjonaj 5119.