Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi një takim të rëndësishëm me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Kaja Kallas, në Tiranë. Gjatë këtij takimi, Osmani theksoi gatishmërinë e Kosovës për të bërë hapin e radhës në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Osmani shprehu kënaqësinë për mundësinë e takimit me Kallas, duke e cilësuar atë si një mbështetëse të përhershme të një Europe të sigurt dhe të bashkuar. Ajo shtoi se, për shkak të angazhimeve të tjera jashtë vendit, takimi me Përfaqësuesen e Lartë u zhvillua në Tiranë, ndërkohë që vizita e Kallas në Kosovë është planifikuar për javën e ardhshme.
Presidentja Osmani bëri thirrje që Bashkimi Evropian të tregojë guxim dhe vendosmëri në këtë moment të rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës, duke nënvizuar se tani është koha që BE të reagojë me qartësi dhe drejtim të qartë.