Një 44-vjeçar turk është arrestuar në Tiranë, pasi ishte vendosur në kërkim ndërkombëtar nga Turqia.

Ai akuzohet për disa vepra të rënda penale, një prej tyre tentativë për vrasje.

Si rezultat i punës operacionale profesionale dhe të mirorganizuar të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 dhe specialistëve të Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, si dhe i bashkëpunimit të ngushtë me homologët turq, u finalizua operacioni policor i koduar “Multiple”.

Gjatë operacionit u lokalizua, u kap dhe u vu në pranga, me qëllim ekstradimin në Turqi, shtetasi turk, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, U. O., 44 vjeç.

Prokuroria e Izmirit i ka lëshuar urdhër arresti për këtë shtetas, mbi akuza për veprat penale: tentativë vrasjeje, krijim të organizatës kriminale për falsifikim të dokumenteve dhe heqje të paligjshme të lirisë.

Gjithashtu, Gjykata e Lartë e Karsiyakës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për posedim dhe trafikim të lëndëve narkotike.

Interpol Tirana po bashkëpunon me homologët në Turqi, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e 44-vjeçarit.