Një ngjarje e rëndë ndodhi në Liverpul ku gjatë festimeve të fitores së skuadrës së futbollit FC Liverpool, një automjet ka hyrë me shpejtësi në turmën e tifozëve, duke përplasur turmën. Për pasojë raportohet se janë plagosur 27 persona, mes tyre edhe katër fëmijë.
Ngjarja ndodhi teksa ekipi po udhëtonte në qytet me një autobus të hapur për të festuar titullin kampion, në një itinerar rreth dhjetë miljesh, ku pritej pjesëmarrja e afro një milionë vetëve.
Policia ka ndaluar shoferin e makinës, një 53-vjeçar britanik nga zona lokale. Ende nuk janë bërë të qarta motivet e incidentit dhe hetimet janë në vazhdim.
Autoritetet njoftuan se ngjarja u raportua rreth orës 18:00, sipas orës lokale. Dëshmitarë okularë thanë se dëgjuan ulërima dhe panë makinën me ngjyrë të errët që kaloi përmes turmës, duke shkaktuar kaos.
Reagimet zyrtare nuk munguan. Kryeministri Keir Starmer u shpreh i tronditur në platformën X: “Jam me mendje pranë të plagosurve dhe të gjithë të prekurve. Falënderoj policinë dhe shërbimet e emergjencës për reagimin e shpejtë.”
Edhe Ministrja e Brendshme, Yvette Cooper, e përshkroi situatën si “skena të tmerrshme dhe shokuese”.
Në vendngjarje ndërhynë forca të shumta të emergjencës. Shërbimi i ambulancës North West bëri të ditur se po bashkëpunon me ekipet e tjera për të ofruar ndihmën e nevojshme mjekësore për të plagosurit.
Nga 47 personat e plagosur, 27 prej tyre, përfshirë katër fëmijë, u dërguan në spitale në të gjithë qytetin. 20 tifozët e tjerë u trajtuan në vendngjarje për lëndime të lehta.
Policia tha se tre të rritur dhe një fëmijë ishin bllokuar nën makinë, që besohet të jetë një Ford Galaxy gri i regjistruar në Chester, dhe u desh të shpëtoheshin nga ekipet e zjarrfikësve. Një ndihmës mjekësor u godit gjithashtu nga automjeti.