Home AKTUALITET EKONOMI Rreziku i pensioneve, thellohet me 13% borxhi për sigurimet e papaguara më...

Rreziku i pensioneve, thellohet me 13% borxhi për sigurimet e papaguara më 2020, detyrimet arrijnë në 17 mld lekë

33

Shuma e sigurimeve shoqërore që nuk janë paguar në kohë dhe tashmë janë klasifikuar në borxh tatimor arriti në 17 miliardë lekë (138 milionë euro) në vitin 2020 me një zgjerim 12.6 për qind në krahasim me vitin 2019, raportoi Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Sipas të dhënave zyrtare të azhurnuara në grafikun e mëposhtëm, borxhi tatimor në formën e kontributeve është rritur me rreth 52 për qind në tre vite, duke arritur në 17 miliardë lekë më 2020 nga 11.2 miliardë lekë që ishte me 2017.

Para tre vitesh DPT nëpërmjet një kërkese me të drejtë informimi nga “Monitor”, vuri në dispozicion një listë në përbërjen e së cilës 1171 institucione dhe ente publike që nuk kanë paguar sigurimet shoqërore dhe ato shëndetësore për personelin e tyre. Por ecuria e stokut të borxhit tregon se këto ente e kanë thelluar më tej detyrimet.

Pjesa më e madhe e detyrimeve i takojnë enteve publike, të cilat duke qenë në administrimin shtetëror i devijojnë fondet në drejtime të tjera duke shmangur tërësisht kornizën ligjore edhe pse ka rregulla të ashpra në këtë drejtim.

Lista e borxhlinjve dominohet nga ndërmarrjet e ujësjellësit, ish-komunat, klubet e futbollit, sh.a.-të shtetërore, qendrat shëndetësore, zyrat arsimore, repartet ushtarake, madje edhe institucione të larta të administratës publike, si Kuvendi i Shqipërisë, madje gjykatat dhe drejtori të ndryshme në Tatime dhe në Dogana.

Këto ente, sidomos ndërmarrjet buxhetore që i administrojnë fondet publike nëpërmjet llogarive të veçanta dhe jo direkt nga thesari janë të prira të krijojnë borxhe. Në presionin e politikës për të punësuar sa më shumë persona, ndërmarrjet e ujësjellësit, sha shtetërore, bashkitë etj., e përdorin fondin e sigurimeve për të paguar punonjës të rinj. Gjithashtu ato mund ta përdorin fondin për të financuar edhe programe të tjera për të cilat nuk gjerojnë fonde të mjaftueshme.

Detyrimet janë krijuar në pesë vitet e fundit, pasi në vitin 2015, qeveria “Rama”, e cila sapo erdhi në pushtet i shleu të gjitha detyrimet e gjetura nëpërmjet një pakete të re borxhi mbi 500 milionë euro.

Detyrimet e akumuluara, të cilat duhet të shkonin për llogari të arkës së Sigurimeve Shoqërore kanë krijuar efekte negative të shumëfishta. Më e rënda është se mijëra punonjës që punojnë në entet publike rrezikojnë të humbasin pensionin e pleqërisë ose të përfitojnë pagesë të pjesshme.

Në kushtet e mospagesës së sigurimeve buxheti i shteti duhet të subvencionojë nga taksat e përbashkëta skemën e pensioneve për të kryer pagesat për përfituesit aktualë. Të ardhurat nga kontributet shënuan rënie me 1.6% më 2020 dhe shpenzimet u rriten me 1.5 për qind, për rrjedhojë deficiti i skemës u thellua dhe subvencioni nga buxheti i shtetit u rrit. Financimi i buxheti i shtetit në skemën e sigurimeve arriti në 29 miliardë lekë me një rritje mbi 14% në raport me 2019.

Nga viti 2010-2020 përfituesit në skemën e pensioneve u rriten me 22%, por ndërkohë pagesat për një pensionist kanë nisur rënien.